Spanja më mirë me Italinë, por ka ekulibër në turnetë e mëdhenj së fundmi!

Në total, janë më lart iberikët, që kanë fituar më shumë ndeshje. Spanja ka 12 fitore ndaj 9 humbjeve me Italinë, si dhe 12 barazimeve, duke treguar se sipas traditës dueli i gjysmëfinaleve në Europian duhet të jetë i fortë. Gjithsesi, në sfidat në fazat finale të turneve të mëdhenj, italianët nuk kanë dalë keq. Ndeshja e fundit mes tyre u luajt në raundin e dytë në Euro 2016, kur të kaltrit ishin superiorë ndaj ish-kampionëve të Europës duke fituar 2-0 e duke i eleminuar.

Katër vjet më parë, në 2012, gjithsesi, Spanja pati një fitore madhështore në finale, 4-0, pas barazimit 1-1 në grup. Në Euro 2008, sfida çerekfinale përfundoi 0-0 në Vjenë, por spanjollët kaluan me penallti dhe fituan kampionatin. Italia ka fituar 2-1 në çerekfinalet e Kupës së Botës në 1994 në SHBA, një ndeshje ku trajneri i sotëm Luis Enrike shkoi të rrihte mbrojtësin italian Mauro Tasoti që e gjakosi në fytyrë duke e goditur me bërryl. Italia fitoi 1-0 në fazën e grupeve në Euro 1988, ndërsa barazoi 0-0 në Euro 1980. Dy ekipet u ndeshën në Kupën e Botës 1934 në Itali në çerekfinale, ku fillimisht sfida përfundoi 1-1, dhe më pas u luajt edhe një herë me Italinë që fitoi 1-0. Gjithsesi, në 8 ndeshjet e fundit, Spanja ka 3 fitore, 4 barazime e 1 humbje, ndërsa në 14 ndeshjet e fundit, “furitë e kuqe” kanë 5 fitore, 7 barazime e 2 humbje.

Sfidanti.al