Parisi ka një revolucion të ri, “kalaja” “Rolan Garos” sulmohet pas ikjes së Osakës!

Në fillim, në krah të saj doli Rafael Nadal, ndonëse disi me elegancë. E vazhdoi me më shumë forcë kryesindikalisti i tenistëve, Novak Gjokoviç, po ashtu Serena Uilliams, ndërsa në sulm pas tyre u hodh edhe Ljuis Hamilton. Janë shumë emra të shquar që kanë dalë kundër organizatorëve të “Rolan Garosit” dhe të Grand Slemeve në përgjithësi, pas largimit të Naomi Osakës. Tenistja japoneze, numri 2 në botë, e pati në majë të hundës pasi u gjobit sepse nuk dha konferencë shtypi pas ndeshjes, ndërsa kishte lajmëruar që më parë se nuk ishte mirë nga nervat, dhe donte qetësi. Kjo nuk u mor parasysh, ndaj edhe luftëtarë të shquar për të drejtat e njerëzve të thjeshtë vendosën të veprojnë. Gjokoviç, Serena dhe Hamilton i dhanë të drejtë Osakës duke thënë se që të gjithë kanë kaluar nëpër këtë fazë si ajo. Mamaja e Andi Marrejt gjithashtu i doli në krah. “Shëndeti mendor nuk është shaka, – shkruajti Hamiltoni, – është serioz dhe me pasoja. Ajo që bëri Naomi do shumë kurajë. Le ta kuptojë se nuk është vetëm”. Një sulm i përqëndruar ndaj “Rolan Garosit” dhe rregullave që vetë Osaka i quajti “të mykura”, ashtu si monumentet e Londrës. Një revolucion i ri po vlon në Parisin e revolucioneve.

Sfidanti.al