Kur i madhi “Kalle” Rumenige trembet nga “turbo-kapitalizmi”

Edhe pak ditë i kanë mbetur deri në mbylljen e detyrës, dhe kështu do të mbyllë një epokë. Karl-Hajnc Rumenige largohet si shef ekzekutiv i Bajernit në fund të qershorit për t’ia lënë vendin Oliver Kahnit, ndërsa jep intervistat e fundit për mediat gjermane. Një të tillë e pati me revistën “Kiker” duke theksuar se e ardhmja e klubit bavarez është e siguruar për shkak të politikës së drejtuesve dhe sukseseve në fushë, ndërsa shqetësohet për të ardhmen në përgjithësi. “Më shqetëson shumë ajo që po ndodh këto kohë, që unë do ta quaja turbo-kapitalizëm, – theksoi “Kalle”, – kjo ka të bëjë me faktin se edhe në futboll, si edhe në shoqëri, kapitalizmi i madh po bëhet gjithnjë e më kërcënues, më i fuqishëm”. Me gjasë, ai i referohej bosëve të 12 klubeve që themeluan Superligën Europiane dhe bankës amerikane “JP Morgan”, dhe që taksat do të donin t’i paguanin në parajsa fiskale. Tifozët në Angli dhe nëpër Europë kanë deklaruar se “disfata e Superligës Europiane ishte një fitore e njerëzve të thjeshtë ndaj turbo-kapitalistëve”.

Sfidanti.al