E dinë të gjithë që filmat vlerësohen me çmimin “Oskar”, por ky “filmi” ynë i Superligësdo do të meritonte çmim tjetër …”Honoris Causa”! Paska qënë si paradhënie për presidentin Duka dekorata bujëmadhe “Honoris” , të cilën e mori nga Universiteti i Sporteve, sepse po ta kishin dhënë në fund të këtij kampionati do ta kishim shijuar si gradim për mjeshtërinë në intrigë..
O zot, ç‘është kjo , Superligë apo shtrigë, që një herë të zhyt në bojkot dhe pastaj na ngre në qiell! Jemi peng deri në minutën e fundit, po na mbajnë në ankth, ndryshe nga ç‘ishim mësuar ndër vite ..që sapo hynim në kinemanë e futbollit, do të dilte dikush që të na tregonte se kur do të vritej Partizani dhe se cili midis Teutës apo Vllaznisë do ta pësonte nga “dora e Makbethit..
..Bravo regjizorit të “filmit”! Edhe sikur ta ketë kopjuar nga të tjerë stisjen e ngjarjeve nëpër ndeshje , edhe sikur ta ketë blerë shtrenjtë skenarin me klasifikim të harbuar çdo javë, siç pretendohet, mjafton që mbetëm si peshku pa ujë për të gjetur emrin e kampionit. Çfarë filmi dramatik për një bashkësi sportive që mezi po mbijeton, e cila e ndjek topin nga pas duke shpërfillur të vërtetën , pa patur gajle nëse topi rrotullohet nga goditja që merr nga futbollistët apo nga goditja që merr nga flama që vjen nga sipër…
O zot , sa bukur na e ka hedhur “regjizori” këtë here, kur brenda një kampionati kemi shpallur më shumë kampionë se gjithë sezonet e fundit bashkë. Një herë festë në Shkodër, pastaj prishej atje dhe ia plaste në Durrës, pastaj spostohej në Laç, dhe afër fundit, kujtuam se shpëtuam, pasi gjetëm fituesin..Partizanin. Aq naivë u treguam, pa e ditur se kishim rënë në leqen e ngritur nga “regjizori”, sepse Partizani ishte zgjedhur si viktima e parë në luftën për titull. Dhe në javën e fundit, pritet akti final i këtij teatri intrigant, ku dikush nga Teuta apo Vllaznia pritet të vritet nga dora e arbitrit, ngaqë dora e sistemit që trukon .. nuk është për sytë tanë!
Sfidanti.al