Mbeten edhe dy javë deri në mbyllje të sezonit të Premier Ligës, dhe ndërsa dy vendet e para dhe rënia nga kategoria janë vendosur, kjo nuk mund të thuhet për kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Tre skuadra pretendojnë për dy vende, Leisteri, Çelsi e Liverpuli. Sipas skenarëve mund të ndodhë që Leisteri të mundë Çelsin ditën e sotme, dhe që Liverpuli të marrë 6 pikë të plota në dy ndeshje. Në këtë rast, Liverpuli do të arrinte në 69 pikë, Leisteri të arrinte në 72 dhe Çelsi të mbetej prapa (67). Nëse Çelsi barazon me Leisterin dhe Liverpuli i fiton dy ndeshjet, Leisteri do të arrinte në 70 pikë, Liverpuli në 69 dhe blutë e Londrës në 68.
Veçse, nëse Çelsi mund Leisterin dhe Liverpuli i fiton dy ndeshjet, atëherë Çelsi do të kualifikohej me 70 pikë, ndërsa Liverpuli e Leisteri do të ishin me nga 69. Në këtë rast do të vendoste golaverazhi, i cili për momentin është njësoj për dy skuadrat, +21. Leisteri ka ende një epërsi të vogël sepse ka shënuar 65 gola ndaj 63 të rivalëve. Nëse në dy javë, Liverpuli barazohet në gjithçka me Leisterin, në Champions do të shkonin të kuqtë sepse kanë bilanc më të mirë në ndeshjet direkte, me nga një fitore e një humbje, dhe me golat 4-3. Edhe kompanitë e basteve kanë nxjerrë Liverpulin si favorit për të shkuar në Champions.
Sfidanti.al