Mançester Siti ka 76 gola në 36 ndeshje, Interi ka arritur në 82 e Napoli në 83, Paris SG është për momentin në 80, ndërsa vetëm Bajerni është ende larg me 94 rrjeta në 33 ndeshje. Imagjinoni se në çfarë nivelesh ka arritur Atalanta e Bergamos që këtë të shtunë arriti dy objektiva, së pari siguroi matematikisht kualifikimin për në Champions, dhe së dyti, që arriti kuotën e 90 golave.
Një sukses i madh për ekipin e trajnerit Xhampiero Gasperini, një skuadër që përfaqëson një qytet të vogël, por kjo nuk e ka penguar që të jetë tashmë për të tretën herë radhazi në Ligën e Kampionëve. Atalanta ka luajtur 37 ndeshje, ka në dispozicion vetëm një, por është e paarritshme nga Juventusi sepse ka 78 pikë. Kjo, për shkak se bergamaskët kanë fituar 1-0 në fushën e tyre dhe kanë barazuar në Torino 1-1. Duvan Zapata, Ruslan Malinovski, Robin Gosens dhe Mario Pashaliç ishin autorët e golave për bergamaskët në fitoren 4-3, në një ndeshje ku Berat Gjimshiti ishte sërish titullar në mbrojtjen me 3 lojtarë, sipas skemës së trajnerit Gasperini 3-4-2-1.
Sfidanti.al