Shqiptarët në botë: Nga goli i Papës tek penalltitë e Sadikut, dhe titujt e Uzunit e Bajramit!

Për të dytën ndeshje radhazi gjeti rrugën e rrjetës. Enriko Papa po kalon një moment shumë të mirë në Superligën e Rumanisë, pavarësisht nëse ekipi i tij fiton apo humbet. Pasi realizoi në sfidën e kaluar që u mbyll me sukses, mesfushori shqiptar nga Kuçova ia doli përsëri për Botoshanin. Ishte ndeshja e radhës e fazës së plej ofit dhe Botoshani u mund 3-4 në fushën e Akademisë së Klinçenit, ndërsa 28-vjeçari i dha epërsinë e përkohshme 3-1 në fund të pjesës së parë.

Moment i mirë edhe për Armando Sadikun në Bolivi. Sulmuesi i kombëtares, pasi shënoi dy gola në ndeshjen e kaluar, u bë protagonist duke fituar dy 11-metërsha për Bolivarin, në ndeshjen e Kupës Jugamerikane ndaj Uilstermanit. Ishte java e 4-ët e kësaj kupe, dhe Sadiku tregoi se është përshtatur siç duhet me ekipin e tij.

Në Spanjë, ndërkaq, Keidi Bare ishte në stol në humbjen që Espanjoli pësoi me Kartagjenën, 0-2, në javën 39-të të Ligës së Dytë të Spanjës. Espanjoli është i ngjitur në La Liga pas barazimit të javës së kaluar, duke qenë i shkëputur nga rivalët e duke qenë në vendin e parë.

Dy lojtarë të tjerë shqiptarë, ndërkaq, e kanë mbyllur sezonin dhe kanë marrë trofeun e titullit kampion. Myrto Uzuni mori kupën në Superligën e Hungarisë, të cilën e fitoi me Ferencvaroshin, duke qenë edhe lojtari më i mirë i ekipit të tij, dhe shënuesi i katërt më i mirë i kampionatit me 12 gola. Në Itali, Nedim Bajrami festoi në ceremoninë e titullit në Serinë B, ndërsa sezonin tjetër e ka të sigurt që do të luajë në Serinë A. Nuk dihet nëse do të vazhdojë me Empolin, me të cilin fitoi kampionatin apo do të kalojë në ndonjë skuadër tjetër.

Sfidanti.al