Ç’e do Superkupën Europiane kur Leisteri fiton Kupën e Anglisë?!

Në NBA, NHL, NBL apo NFL nuk mund ta gjesh kurrë këtë nivel emocioni. Sporti amerikan, sado i shkëlqyer, e i zhvilluar, nuk e ka ndjenjën e thellë dhe lidhjen prej mishi e gjaku që ekziston në sportin europian, dhe këtë e tregoi açik finalja e Kupës së Anglisë. Një betejë si e Davidit ndaj Goleadhit ishte ajo mes Leisterit dhe Çelsit, me fitoren e Robin Hudit të këtyre viteve, skuadrës së “dhelprave të patrembura” që fitoi edhe Kupën, pasi mori titullin kampion në 2016.

Futbollistët heronj do të kenë kënaqësinë, sa të jenë gjallë, t’u tregojnë nipërve e mbesave sesi arritën të shkruanin historinë, të mposhtnin favoritët dhe të fitonin për herë të parë trofeun më të vjetër të futbollit në botë. Në Angli, mediat e krahasuan menjëherë me ngjarje që kanë lënë shenjë nëpër finalet e mëparshme, siç ishte “finalja e Kalit të Bardhë”, e para në “Uembli” në 1923, finalja e Stenli Metjusit në 1953, finalja e Sandërlendit ndaj Lids Junajtidit të plotfuqishëm në 1973. Ato finale, si kjo e sotmja, mishërojnë gjithçka që dashurojmë në futbollin anglez, drithërimat popullore, shkëlqimin individual dhe gëzimin e pakufishëm të shkeljes së tabuve, të “vrasjes së gjigandëve”.

Leisteri fitoi 1-0 në “Uembli”, ku ishin 21 000 tifozë, falë golit të shënuar nga Juri Tilemans në 63’, ndërsa VAR-i anuloi barazimin e vonshëm të Çelsit. Brendan Roxhers u bë i pari trajner që fiton edhe Kupën e Anglisë, pas fitores së Kupës së Skocisë, që nga koha e Sër Aleks Fergusonit. Në 2016, “dhelprat” fituan titullin nën drejtimin e trajnerit italian, Klaudio Ranieri, ndërsa tani ishte një anglez që ia doli.

Sfidanti.al