Interi kalon me “ndeshje boksi” sherrin mes Kontes e Lautaros!

Kur një ekip është i bashkuar, edhe momentet më të vështira kalohen lehtë, madje edhe duke qeshur. i shpallur kampion që para dy ndeshjeve, zikaltërit patën një shqetësim kur Lautaro Martinez u nxeh me trajnerin Antonio Konte që e zëvendësoi shpejt në sfidën ndaj Romës në “San Siro”. Mediat italiane i dhanë shumë zë kësaj ngjarjeje, duke komentuar se “konflikti mund të ishte evituar”, por për fat, tek Interi, Lautaro dhe Konte nuk janë vetëm. Romelu Lukaku, me autoritetin e lojtarit më të mirë të sezonit, krijoi një lojë, një shaka, për ta kaluar me të qeshur ngërçin e të mërkurës. Ai u vu në rolin e prezantuesit në një ndeshje të improvizuar boksi, pikërisht mes trajnerit dhe sulmuesit argjentinas, të cilët kishin vendosur dorezat, ndërsa rreth e rrotull ishte e rreshtuar skuadra. Plasën të qeshurat dhe atmosfera ishte shumë e bukur kur sulmuesi belg fliste sikur të ishte në ringun e Las Vegasit apo në “Medison Skuer Garden” të Nju Jorkut. Pra, Konte dhe Lautaro “u sqaruan” në Pinetina dhe gjithçka është në rregull.

Sfidanti.al