Kovidi dhe qeveria britanike e zhvendosën finalen e Championsit në Porto!

Një nga finalet më të mëdha të historisë u luajt në atë stadium.  Gjithsesi, në “Ataturk” të Stambollit vështirë se po mund të zhvillohet një tjetër ndeshje fundore e Championsit që pas përmbysjes së madhe të Liverpulit ndaj Milanit në 2005. Impianti i caktuar për të pritur finalen e këtij sezoni, do të duhet të presë sërish. UEFA vendosi sërish të ndryshojë vendin e mbajtjes së finales, dhe në 29 maj të këtij viti Çelsi e Mançester Siti do të luajnë në stadiumin “Dragao” të Portos.

Do të jetë Portugalia për të dytin vit radhazi pritëse e sfidës së madhe për trofe, ndërsa edicionin e kaluar përballja mes Bajernit të Mynihut e Paris SG u luajt në “Estadio da Luz” të Lisbonës. Për këto ndryshime ka një fajtor të vetëm, epidemia e koronavirusit. Përderisa në finale janë dy skuadra angleze, u mbajt parasysh qendrimi i qeverisë britanike, që e ka vendosur Turqinë në listën e kuqe të udhëtimeve për shkak të shpërthimit të Kovidit, e tifozët anglezë do të jenë të detyruar të hyjnë në karantinë.

UEFA ka vendosur t’u japë nga 6 000 bileta për tifozët dy klubeve, Çelsit e Mançester Sitit, ndërsa kërkesa e anglezëve ishte që finalja të luhej në “Uembli” të Londrës ku do të sigurohej një kapacitet prej 22 500 tifozësh sepse stadiumi ka kapacitet 90 000 vende në krahasim me 50 000 të “Dragaos” së Portos. Çelsi u kualifikua për në finale duke eleminuar Realin e Madridit, me barazimin 1-1 në Madrid e fitoren 2-0 në Londër, ndërsa Mançester Siti kaloi Paris SG me dy suksese, 2-1 në Francë e 2-0 në fushën e tij.

Sfidanti.al