Ronaldo merr notën 4, ndërsa fati i Andrea Pirlo tek Juventusi është i paracaktuar!

Mund të mendohej çdo përfundim por jo ky. Po ashtu, dihej që një cikël do të përfundonte, por që “Zonja e Vjetër” të turpërohej kështu e të rrezikonte edhe Championsin pas 9 titujve radhazi, ishte e paimagjinueshme. Ajo që ndodhi në stadiumin “Alianc” të Torinos ishte pikërisht kështu, triumf i madh 3-0 i Milanit, i pari në këtë impiant, dhe rrëzim hundëbuzë i Juventusit. Një përmbysje epokale po ndodh në Serinë A, dhe Juvja që i linte rivalët shumë pikë prapa, është tani 16 pikë poshtë kampiones së re, Inter. Dominimi i skuadrës së trajnerit Stefano Pioli ishte i dukshëm, i plotë dhe i paapelueshëm, në atë që u quajt finalja e sezonit për Championsin.

“Nuk ekzistojnë ndeshje të përsosura, – tha drejtuesi milanez, – por, mendoj se ne iu afruam shumë një gjëje të tillë këtë herë. Luajtëm siç donin dhe siç duhej, si skuadër e pjekur, e vëmendshme, e vendosur, me shpirt, duke fituar një ndeshje shumë të vështirë, shumë të rëndësishme. Gjithsesi, duhet të mendojmë menjëherë për sfidën e radhës, sepse pas tri ditësh do të jemi sërish këtu. Kemi edhe dy javë të vështira, ndaj duhet të jemi të vendosur deri në fund”.

“Mrekullia Milan, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Juve shtypet, dhe i trembet mbetjes së pabesueshme jashtë Championsit! Pioli i përsosur, dëmtohet Ibra. Fati i Pirlos duket i paracaktuar!” “Pirlo është jashtë, – deklaron “Il Korriere delo Sporti”, – Kuqezinjtë ngrijnë “Zonjën”, janë të dytët me Atalantën. Juve dërrmohet nga Milani, rrëshqet në vendin e pestë!”

Duhej të kishte qenë sfida e legjendave Kristiano Ronaldo e Zllatan Ibrahimoviç, por asnjëri prej tyre nuk ishte protagonist. Suedezi i Milanit edhe për shkak të një dëmtimi, ndërsa portugezi u duk sikur nuk ekzistonte. Për këtë arsye, CR7 mori notën 4 dhe komentin e “Tutosportit”: Një gjuajtje e vetme në 60’. Ndeshje e turpshme për mungesën e cilësisë e vullnetit. Duket sikur që tani është diku tjetër!” Trajneri Andrea Pirlo u përpoq të jepte ndonjë notë pozitive.

“Duhet të mos e ulim kokën, të ringrihemi menjëherë sepse kampionati nuk ka përfunduar, – tha ai, – Kemi edhe 3 ndeshje, ndaj duhet t’i luajmë me mentalitetin e duhur. Nuk ishim aq të zotët në përfundimin e aksioneve, bëmë gabime teknike. Për fat të keq, tani nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga kundërshtarët, pra rruga bëhet më e vështirë, por duhet të përqëndrohemi tek këto tri ndeshje”. Gjithsesi, fati i trajnerit duket i përcaktuar, dhe Juventusi shpreson për Zidanin sezonin tjetër, por katastrofa më e madhe do të ishte mbetja jashtë Championsit.

Sfidanti.al