Uestbruk barazon Robertsonin me tripëll dabëlla, por ende jo për titullin

Arritja është e madhe dhe padyshim që do të mbeten në histori për një kohë të caktuar, sepse do ta thyejë rekordin. Rasëll Uestbruk barazoi rekordin e Oskar Robertsonit me 181 tripëll dabëlla në karrierë, duke treguar se është specialisti më i madh i të gjitha kohëve në këto element në NBA. Ai e realizoi në fitoren 133-132 të Uashingtonit në fushën e Indianës, ndonëse ai ende nuk e ka barazuar Robertsonin e madh në një tjetër element. Ai fitoi titullin kampion në NBA në 1971 me Miluokin duke luajtur në krah të të riut Lju Alsindor, që më pas do të njihej me emrin Karim Abdyl Xhabar.

Në në ndeshjen në Indiana, Uestbruk shënoi 33 pikë, kapi 19 topa në tabela e shërbeu 15 asistë, ndërsa vodhi 1 top e bllokoi dy gjuajtje. Ai ishte vendimtar për fitoren sepse shënoi dy gjuajtje të lira që dhanë epërsinë përfundimtare 133-132 për miqtë, si dhe bllokoi gjuajten e fundit të Indianës. Edhe lituanezi Domantas Sabonis, djali i të famshmit Arvidas Sabonis, pati tripëll dabëll me 30 pikë, 13 topa në tabela e 13 asistë, si dhe 3 vjedhje topi. Uestbruk ka thyer më parë rekordin e Robertsonit me 41 tripëll dabëlla në një sezon, duke arritur 42 në 2017. Ai arriti një sezon me mesatare tripëll dabëlli në 1962, por Uestbruk ka realizuar deri tani 3 sezone të tillë, dhe po vazhdon edhe tani (2020-2021) me mesatare tripëll dabëlli ( 22 pikë, 11.6 topa në tabela e 11.5 asistë për ndeshje). Ai ka shënuar gati 22 000 pikë në NBA dhe synon të arrijë 30 000.

Sfidanti.al