Prag Juventus-Milani, Derbi i Italisë luhet me një synim të vetëm, Championsin!

Dy gjigandë luajnë sot derbin në Torino, ndërsa rrezikojnë të mbeten jashtë Championsit. Juventus-Milan është ndeshja e rëndësishme e Serisë A në orën 20:45. Në fazën e parë, Juventusi fitoi 3-1 në “San Siro”, por këtë herë nuk ka asnjë garanci. Trajneri Pirlo, për fat, nuk ka asnjë të dëmtuar dhe të pezulluar, pra mund të zgjedhë formacionin më të mirë. Piemontezët e patën një gëzim në klub, pasi ekipi i femrave fitoi titullin e katërt radhazi në Serinë A.

“Do të jetë një ndeshje e hapur, – tha tekniku, – sepse luajnë dy skuadra që pëlqejnë të sulmojnë, pra pres një sfidë të bukur. i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, diçka që ka ndodhur rrallë këtë sezon. Synimi është të arrijmë Championsin, presioni është i madh, por besoj se do ta përballojmë. Faktorë jashtë fushe nuk ndikojnë”.

Milani u kthye tek fitorja pikërisht javën e kaluar, pra në kohën e duhur, duke lënë disi prapa periudhën e krizës. Trajneri Pioli ka një kërkesë të veçantë për skuadrën, ndërsa mungesë e vetme është Kastijeho i pezulluar.

“Është një ndeshje vendimtare, – tha ai – tepër e rëndësishme, si dhe një mundësi për të treguar përtej gjithçkaje, se jemi një skuadër e pjekur. Ndeshjen ndaj Juventusit duhet ta luajmë në mënyrë të pjekur, që do të thotë se duhet të jemi të qetë, të japim maksimumin dhe të marrim rezultatin. Pjekuria do të jetë tepër e rëndësishme”.

Të dyja skuadrat kanë nga 69 pikë, duke qenë në konkurrim me Napolin, Atalantën, madje edhe Lacion, ndërsa në dispozicion janë 3 vende.

Sfidanti.al