Hamilton nuk ndalet as në Barcelonë, shkëputet 14 pikë nga Verstapeni

Pas fitores së 100-të në karrierë në “pole position”, erdhi edhe një sukses më i rëndësishëm, ai në garë. Ljuis Hamilton bëri të vetin Çmimin e Madh të Spanjës në Barcelonë duke fituar me strategji ndaj Maks Verstapenit. Skuadra Mercedes bëri një ndalesë për anglezin ndërsa ai ndodhej rreth gjysmë sekonde prapa holandezit të Red Bullit, ndërsa ky i fundit vendosi të vazhdonte. Falë gomave më të freskëta, por edhe paraqitjes më të mirë të makinës, Hamilton rikuperoi më shumë se 22 sekonda diferencë duke e mbyllur me 16 sekonda para Verstapenit, që u detyrua të ndalonte vetëm për të vendosur xhiron e shpejtë e për të marrë pikën që jepet falë saj.

Holandezi e nisi shkëlqyeshëm garën duke parakaluar Hamiltonin që në fillim, dhe mbajti kryesimin për gati 60 xhiro, ndërsa kampioni i botës kaloi pa probleme edhe shokun e tij të skuadrës, Valteri Botasin. Leklerk i Ferrarit doli i katërti me gati 1 minutë vonesë, ndërsa pas tij Sergio Perez me Red Bullin e dytë. Pas 4 garave të Botërorit të Formula 1, renditja e pilotëve është kjo: Hamilton 94 pikë, Verstapen 80, Botas 47, Norris 41, Leklerk 40, Perez 32, Riçardo 24, Sainz 20. Renditja e skuadrave: Mercedes 141 pikë, Red Bull 112, Meklaren 65, Ferrari 60.

Sfidanti.al