Bajerni është kampion, Levandovski 1 gol larg rekordit të Gerd Mylerit!

Mund të themi se ka kundërshtarë më të lehtë, sepse në 1972 Bundesliga ishte “zjarr”. Bajerni sot i dominon më lehtë rivalët dhe kjo mund ta ketë ndihmuar Robert Levandovskit që t’i afrohet, e me gjasë ta thyejë, rekordin legjendar të Gerd Mylerit. Sulmuesi polak arriti në 39 gola këtë sezon të kampionatit gjerman pasi shënoi tri herë ndaj Borusias së Mynshengladbahut. Myleri i famshëm realizoi 40 në edicionin 1971-1972

Bavarezët dolën në fushë për të festuar titullin kampion të fituar pasi Lajpcigu humbi duelin në fushën e Dortmundit, ndonëse heroi nuk ishte Erling Halandi. Kampionët kanë tani 74 pikë në 32 javë kampionat dhe kanë shëuar 82 gola, nga të cilët gati gjysma janë të Levandovskit. Kundër Gladbahut, në “Alianc Arena”, sulmuesi 32-vjeçar shënoi në minutën e 2-të, të 34-ët dhe të 66-të me penallti, si dhe shërbeu asistin për golin e Komanit. Një gol e shënoi Tomas Myler, dhe një tjetër Sane. Kur duhen edhe dy ndeshje deri në përfundim, Levandovski ka nevojë për 1 gol që të barazojë rekordin e Gerd Mylerit, dhe dy që ta thyejë atë.

Sfidanti.al