Superliga, Teuta del në krye ndërsa Skënderbeu ndal me fat Partizanin!

Lojën e bëri ekipi kryeqytetas, por fitoren nuk e mori dhe në krye dolën bregdetasit. Është Teuta në krye të Superligës pas barazimit 1-1 të Partizanit në Korçë ndaj Skënderbeut dhe fitores 4-0 të durrsakevë kundër Bylisit në stadiumin “Niko Dovana”. Në Korçë u luajt një përballje e fortë, ku dominimi ishte i miqve nga Tirana, por jo më kot Skënderbeu është bërë shumë i vështirë për t’u mundur këto kohë. Barazimi 1-1 bëri që të ketë sërish rokadë në krye, me Teutën që ka 59 pikë ndaj 58 të të kuqve.

Skuadra e trajnerit Ilir Daja bëri gjithçka për të fituar me përjashtim të më shumë se një goli. i pati mundësitë me Stenjo Zhuniorin, Çinarin, Ferhan Hasanin, por shpërdoroi shumë. Një gol i vetëm, i ardhur në fund të pjesës së parë me autor Stenjo Zhuniorin dhe asistin e Jasir Asanit, ishte fryti i presionit të Partizanit, presion që do të vazhdonte edhe pas pushimit. Skënderbeu pati edhe fat, ndonëse fati nuk thonë kot ndihmon ata që e kërkojnë.

Nuk është se korçarët e kërkuan shumë sepse barazuan me gjuajtjen e parë në portë, atë të afrikanit Mensah, veçse mund të cilësohet shpërblim i një sezoni shumë të mirë që po bën ekipi i trajnerit Migen Memelli këto javë. Gjithsesi, vendasit u detyruan të vuanin deri në fund, të mbroheshin fort e të provonin kundërsulmin, të falenderonin gabimet e të kuqve dhe në fund të përgëzonin portierin e tyre, Qirko që ndali Jasir Asanin.

Ky barazim bëri që Partizani të zbresë në vend të dytë, ndërsa Laçi, Vllaznia madje edhe Tirana nuk janë larg. Skënderbeu është në vendin e tretë nga fundi me 30 pikë, në plej aut, por vetëm 1 pikë larg zonës së mbijetesës që mbahet nga Kastrioti. Teuta, ndërkaq, fitoi me golat e shënuar nga Aleksi, Preka (autogol), Vila e Bregu dhe ka 59 pikë në krye.

Java 32: Teuta-Bylis 4-0, Skënderbeu-Partizani 1-1, Apolonia-Laçi 0-1, Tirana-Kastrioti 1-0, Kukësi-Vllaznia 3-1.

Renditja: Teuta 59 pikë, Partizani 58, Laçi 56, Vllaznia 54, Tirana 53, Kukësi 39, Kastrioti 31, Skënderbeu 30, Bylis 30, Apolonia 20.

Sfidanti.al