Guardiola kritikon Superligën dhe Sitin, duke qenë trajner i Sitit

Është një trajner shumë i madh, një nga më të mirët e epokës madje edhe për të gjitha kohët, por ndershmërisht duhet të themi se këtë herë na vjen për të vjellë. Pep Guardiola që kritkon Superligën Europiane dhe drejtuesit e Mançester Sitit, ndërsa nuk lëviz asnjë milimetër nga kolltuku i tij i artë pikërisht tek Siti, nuk është një shfaqje që duhet parë me kënaqësi, por një komedi që duhet hedhur poshtë. Pak a shumë si Jurgen Klopi para tij, ndoshta edhe më keq se ai, katalanasi tha mesazhin se e dënon të keqen që 12 klubet e pasur i bënë tifozëve, por gjithashtu shton se nuk ka ndërmend të jetë me tifozët, por sërish me njërin nga këta klube. “Ky është sport, – tha Pepi, – sepse kjo Superligë do të thotë se nuk ka vlerë nëse fiton apo humb. Presidentët duhet të shpjegojnë planet e tyre”. Dakord, presidentët mund të shpjegohen, po pastaj? Pepi do të largohet ndoshta për t’u bërë trajner i Katalonjës, apo i Fulhamit? Apo ndoshta premton se do ta pushtojë kalanë nga brenda?!

Sfidanti.al