E babëzitura  Super Ligë  e Europës dhe barkthara Superligë e ..Shqipërisë

Me gjuhën e Shvejkut, marrim guximin t’i u njoftojmë se ne e krijuam Superligën shumë më parë se ta krijonin “peshkaqenët e futbollit”, klubet më të pasura të Europës.  Siç duket, liria e tepruar në futboll,  të lejon të mashtrohesh  me emrat, aq sa  të duket vetja i pasur kur je i varfër! . Një lojë për bukën e gojës luhet në Superligën tonë, dhe një lojë stërmadhe, për të gllabëruar gjithë arin e botës së topit, kurdiset nga ana e Super Ligës që krijuan “bishat e futbollit”.

Interesant është  që të dyja Super Ligat, si kjo gjigandja  që krijuan 12 klubet dhe kjo liliputja, Superliga jonë, me vetëm 10 ekipe “nga më të pasurat e vendit” , kanë marrë mallkimin e UEFA-s. Superliga jonë njihet në Europë si kampionati që ka lindur ekipin më të dënuar në Europë, Skënderbeun me 10 vite, kurse kjo Super Liga e krijuar nga klubet më të pasura është blasfemuar nga UEFA dhe FIFAs …sikur  është vetë vdekja  e futbollit.

Por, edhe pse emrat janë njëlloj, Super Ligë, vetëm emri na lidh me ta sepse në parim , nëse kemi ndopak , jemi kundër të pasurve dhe mbështesim UEFA-n e “ varfër”, që  për pak ,klubet më të lavdishme të futbollit, qenë duke i bërë gropën brënda një nate! Dhe çfarë nate tjetersuese, ku UEFA për herë të parë i duket mbare botes  e pafajshme, e tradhëtuar nga bijtë e saj , e prerë në besë nga engjëjt më të bekuar në qiellin e futbollit!

Rroftë UEFA , poshtë puçistët e futbollit!  Na dëgjohet apo s’na dëgjohet zëri nëpër botë, kemi thirrur edhe ne në mbrojtje të  nderit të UEFA-s, sidmos ne korridoret e FSHF-se. Të asaj UEFA që na duket më e ndershme, më pak e djallezuar  (edhe pse na ka zhytur në Alkatrazin e futbollit)  kur ka në gjirin e saj dhe presidentin Duka. Një president që kur votoi keto dite  në  UEFA,  nuk ngriti vetem njeren dorw, por te dyja, tamam siç u bënë ai bashkekombasve te vet ne Asambletë e fabrikuara me marifet…

Sfidanti.al