Superliga po u ha kokën ekipeve për Championsin, dështon edhe Çelsi

Duhej të kishte fituar, por duhet edhe që të falenderojë fatin që nuk humbi. Brajtoni i kujtoi Çelsit sesa e bukur është Premier Liga, duke i bërë ftesën “dërgoje në djall Superligën Europiane”. Barazimi 0-0 në “Stemford Brixh” mund t’i rrijë ngushtë Bluve të Londrës, por në të vërtetë la të pakënaqur miqtë që meritonin më shumë. Në garën për Champions, Çelsi hodhi një hap të gabuar, ku “këmbët” iu ngatërruan nga presioni dhe kaosi i krijuar lidhur garën e re të propozuar të klubeve.

“(Superliga Europiane) ndikoi tek lojtarët, – pranoi trajneri Tuhel, – edhe unë isha i ndikuar. Gjatë gjithë kësaj kohe është folur vetëm për Superligën e Europës dhe për asgjë tjetër, nuk është folur fare për ndeshjen. Lojtarët ishin të lodhur mendërisht. Donim të fitonim, sepse ndeshja ishte vendimtare, por nuk ia dolëm dhe ishim me fat që nuk humbëm”.

Çelsi ka tani 55 pikë në 32 ndeshje, duke mbetur prapa Leisterit që ka 56 në 31 ndeshje. Po 55 pikë ka edhe Uest Hemi në 32 ndeshje, ndërsa Liverpuli ka 53 pikë gjithnjë në 32 takime, duke qenë lufta e hapur për dy vendet në Champions, kur duhen edhe 6 javë deri në përfundim të Premier Ligës.

Sfidanti.al