Klop: Jam kundër Superligës europiane, por nuk jap dorëheqjen!

Barazimi i Liverpulit në fushën e Lidsit nuk ishte ndoshta problemi më i madh për trajnerin e kampionëve të Anglisë. Një tjetër temë është kryesore këto ditë, dhe Jurgen Klopi u ngacmua sepse dy vjet më parë ishte shprehur kundër Superligës. “Nuk e kam ndryshuar mendjen, – tha ai, – Është një vendim i vështirë, njerëzit nuk janë të lumtur, dhe unë i kuptoj shumë mirë. Në këtë proces nuk jemi përfshirë ne trajnerët apo lojtarët. Ne e kemi Championsin, dhe unë e pëlqej shumë. Është bukur kur ekipe si Uest Hemi kanë shans të kualifikohen në Champions”.

Gjithsesi, Klopi nuk do të jepte dorëheqjen për këtë shkak. “Kam dëgjuar të thuhet se unë mund të jap dorëheqjen, – u shpreh gjermani, – kjo nuk mund të ndodhë sepse unë jam përgjegjës për lojtarët, për klubin, për tifozët. Unë jam shprehur kundër Superligës, por kjo nuk do të thotë se do të jap dorëheqjen”.

Sfidanti.al