Kanë kaluar 30 vjet që kur i ndodhi për herë të fundit, dhe skuadra më shumë mbahej mend për ambientin e shkëlqyer të tifozëve në “Arena Auf Shalke” dhe për sukseset në Kupën UEFA ku fitoi trofeun në 1997. Gjithsesi, Shalke e Gelsenkirhenit tani do të mbahet mend që u kthye në Bundesligën e dytë pas 30 vjetësh. Humbja në fushën e Arminias së Bilefeldit thjesht i vuri vulën një sezoni katastrofik, dhe pas Hamburgut, bie poshtë një tjetër skuadër e traditës, ndonëse jo me emër aq të madh se gjermanët e Veriut. Ekipi i tifozëve punëtorë duket sikur po përjeton të njëjtën krizë si ajo e sindikatave në Gjermani dhe e partisë së tyre të shquar socialdemokrate. Fabian Klos shënoi për vendasit në 50’, ndërsa Shalke e mbylli ndeshjen me 10 vetë pasi Tiau doli me të kuqe në 71’. Tani, “Blutë Mbretërorë” janë 13 pikë poshtë Hertës së Berlinit që është në vendin e tretë nga fundi që të dërgon në plej aut, madje me berlinezët që kanë luajtur dy ndeshje më pak. Bajerni, ndërkaq, fitoi 2-0 ndaj Leverkusenit në Mynih, me gola të Çupo-Motingut dhe Kimihut. Bavarezët kanë 71 pikë ndaj 61 të Lajpcigut që ka një ndeshje më pak.
Sfidanti.al