Barazim 2-2 me gola të bukur në Kukësi-Tirana, Partizani në krye të Superligës!

Një nga ndeshjet më të bukura të sezonit. Një Kukësi-Tirana është shpesh reklamë për futbollin, qoftë edhe për atë shqiptar, veçse këtë herë ishte një nga përballjet më spektakolare të viteve të fundit. Përfundoi 2-2 dueli i Superligës në “Elbasan Arena”, që nuk i bëri punë asnjërës prej skuadrave, por që kënaqi ata që e ndoqën nga televizori, përderisa në stadium nuk kishte më shumë se 300 vetë. Sfida pati përmbysje, me kuksianët që kaluan të parët në avantazh, në të kundërt të rrjedhës së lojës, pasi tiranasit e trajnerit Shehi e kishin nisur më mirë.

Të dyja skuadrat luajtën hapur, sipas asaj që kërkojnë trajnerët e tyre, Josa i Kukësit dhe Shehi i Tiranës, ndërsa pjesa më e madhe e golave erdhën pas pushimit, madje në 20 minutat e fundit. Kampionët mundën të përmbysnin rezultatin, madje edhe të kalonin në avantazh, duke treguar gjithë përvojën e mbledhur këta dy sezone, si dhe karakterin e lojtarëve. Taulant Seferi më në fund shënoi pasi goditi më parë shtyllën. Ishte po sulmuesi i ardhur nga Zvicra që krijoi golin e dytë, ku gjithsesi merita kryesore ishte e brazilianit Elton Kale.

Gjithsesi, përballja me nënkampionët tregoi edhe një herë fytyrën e Tiranës këtë sezon, që shpesh nuk di të fitojë, ndërsa në fund kuksianët barazuan me anë të Agim Ibraimit, që gjithashtu tregoi klasin e tij. Barazimi 2-2 e ngjiti Tiranën në 43 pikë, 7 pikë prapa kreut që për momentin mbahet nga Partizani. Kukësi, ndërkaq, mbetet prapa duke pasur 36 pikë, shumë pak për cilësinë e ekipit dhe pretendimet.

Partizani është kryesues i Superligës të paktën derisa të luhen ndeshjet e së dielës. Të kuqtë e trajnerit Ilir Daja fituan 3-1 me përmbysje ndaj Kastriotit në “Arenën Air Albania”. Daci kaloi miqtë në epërsi, por Hakaj në pjesën e parë dhe Stenjo Zhunior e Asani pas pushimit i dhanë suksesin kryeqytetasve. Partizani ka 50 pikë dhe jo më kot është ekipi që shënon më shumë gola, plot 40.

Sfidanti.al