Në ndeshjen e kaluar pati një “skenë” të tij kur hodhi përtokë fanelën dhe pastaj goditi me grusht dyert apo muret në dhomën e zhveshjes. Kristiano Ronaldo ishte i acaruar në kulm në sfidën e fituar nga Juventusi ndaj Xhenoas (3-1), sepse nuk shënoi, ndërsa trajneri Pirlo lajmëron se ai nuk do të luajë këtë të diel në fushën e Atalantës. Pirlo theksoi se Kristiano ka probleme muskulore, pra nuk mundet të luajë për shkaqe dëmtimi, ndonëse gjithnjë ka dyshime nëse ky mund të jetë një paralajmërim nga ana e trajnerit. Mediat italianë kanë shkruar këto ditë se CR7 nuk është i kënaqur me Pirlon, ashtu siç më parë nuk ka qenë i kënaqur me Alegrin e Sarrin. Po ashtu, ish-yje juventinë kanë bërë thirrje që klubi ta largojë Kristianon sepse dëmton mentalitetin kolektiv të ekipit. Gjithsesi, tekniku sqaron se “Ronaldo ka shqetësime fizike, dhe numri i madh i ndeshjeve nuk e ka lejuar të shlodhet siç duhet, ndaj edhe vendosëm ta lëmë pushim këtë herë”. Ndaj Atalantës është një ndeshje shumë përcaktuese për kualifikimin në Champions sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al