“Lamtumirë Bavari, mirë se të gjeta Gjermani!” Këto janë fjalët që simbolikisht mund t’i vendosim në gojën e Hansi Flikut, pasi trajneri i Bajernit deklaroi hapur se dëshiron të mbyllë kontratën me kampionët këtë verë. “Dua që të çlirohem nga kontrata ime në fund të sezonit – tha ai në përfundim të ndeshjes së fituar 3-2 në fushën e Volfsburgut, – ky është një fakt”. Gjithsesi, Fliku u kujdes të shtonte se nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. “E ardhmja nuk është aspak e qartë, – tha trajneri, – unë thjesht shpreha një dëshirë. Unë jam shumë i lumtur me skuadrën”. Kontrata e Flikut vazhdon deri në 2023, dhe fakti që ai e shprehu dëshirën do të thotë se ose përfundimisht e ka ndarë mendjen për të ikur, ose që po paralajmëron klubin që të bëjë një zgjedhje. E qartë që është i lumtur me ekipin, por kjo nënkupton jo me drejtuesit, ose më mirë me Salihamixhiçin, apo ndoshta edhe me Rumenigen. Flik ka biseduar këtë javë me Oliver Kahnin dhe patjetër që kanë sqaruar shumë gjëra. Të shohim se cili do të jetë përfundimi, ndërsa Bajerni hodhi një tjetër hap drejt titullit me fitoren në Volfsburg.
Sfidanti.al