Paska dashur edhe 1 gol tjetër në portën e Andorrës, trajneri Edi Reja, që ta shijonte më shumë ndeshjen, sa të lëpinte gishtat me rezultatin dhe jo me shijen e keqe të lojës! ! Le të tregohemi zemërgjërë dhe t’ia dhurojmë dhe 1 gol për hatër të viteve mbi shpinë. Le të hamë edhe një “koqe ulliri” më shumë…siç kemi bërë me trajnerët e tjerë. A do të mjaftonin edhe 2 gola për të shërbyer si maskë për të mbuluar fytyrën e pabukur të lojës së Kombëtares. Dhe kundër kujt ? Ndaj Andorrës, që kur e gjetëm në vazo, atë ditën e shortit, bëmë dasëm imagjinare duke numëruar golat në portën e tyre! Ama, kur na shfaqet në fushë, siç ndodhi mbrëmë, sepse beson se “vaksina” e futbollit po na jep efekt të kundërt: ne zvogëlohemi pa pikën e turpit, kurse Andorra gjen ditën ideale.. për t’u zmadhuar.
Dhe në një kohë krize, më shumë morale se sa pandemie, kemi hasur një diagnozë plot cinizëm , sikur e kanë bërë gati vetë zyrtarët për median : Kombëtarja bëri detyrën! Cila është detyra? Një gol në Andorra, e shoqëruar me një lojë mediokre dhe që ka si engjëll mbrojtës, Edi Rejën, “magjistarin” që ekipin me talente nga Seria A dhe nëpër klubet e Europës, e bën të duket si një skuadër pa orientim, pa bosht, që lodhet duke kërkuar busullën ! Është e vërtetë si drita që nuk kemi fytyrë në lojë, por,ama, kemi një zotësi jo shumë të nderuar ..të fusim dorën në xhep dhe të vjedhim 3 pikëshin!
Sikur t’ia bënim edhe Anglisë të njëtin marifet, do të ishte një mrekulli kuqezi ! S’do prisnim Edi Rejën që të na gënjente si babaxhan sy më sy, sikur ka parë ndeshje tjetër, por do të bindeshim të gjithë se mjalti i sotëm në kosheren e Kombëtares , ai që pagëzohet futbolli i kombit, matet vetëm me pikë sepse loja është një përrallë, që secili e tregon në mënyrën e vet. Ndaj, nuk është rastësi që një talent si Kumbulla, sapo bëhet dora jonë, i bie gozhdës duke thënë se lojën dhe golat i kanë ruajtur për ndeshjen me Anglinë, kurse Bare i bie patkoit se fajin e kishte fusha e keqe e Andorrës! Një fushë që dukej si lule në krahasim me fushën që kishim në Air Albania, të cilën Bare nuk arriti ta “shikonte” me sytë e vet…
Sfidanti .al