Rexhbeçaj ende mendon Gjermaninë, nuk është gati për Shqipërinë apo Kosovën!

Padyshim është një nga zbulimet e sezonit. Elvis Rexhbeçaj ka shënuar 5 gola e ka shërbyer 2 asistë për Këlnin në Bundesligën gjermane, dhe nuk ishte habi që edhe kombëtarja e Shqipërisë u përpoq që ta bënte lojtar të vetin. Ndihmësi i Edi Rejës, Hamdi Salihi, i dërgoi një ftesë mesfushorit 23-vjeçar duke i kërkuar që të vishte fanelën kuqezi, dhe nga Kosova, gazetari Arlind Sadiku boton tekstin e këtij mesazhi.

“Jam Hamdi Salihi dhe jam pjesë e Kombëtares Shqiptare. Kemi kontaktuar edhe më herët bashkë. Trajneri Reja më kërkoi që të kontaktoja edhe njëherë me ty dhe shpreh dëshirën që të vish te Kombëtarja jonë. Bashkë me Rejën kemi dëshirën që të vimë në një datë në Gjermani, që të takojmë ty dhe babain tënd dhe që tregojmë projektin. Ke ndeshje që mund të tregosh veten kundër Anglisë, mund të rritesh më shumë te ne”.

Rexhbeçaj, gjithsesi, ka vendosur të mos zgjedhë një ekip përfaqësues për momentin. Ai e ka refuzuar ftesën e Rejës, të paktën përkohësisht, ndërsa do të mendohet për vendimin që do të marrë. Futbollisti me aftësi mjaft të mira, dhe shtatlartësi 1.82 metra, ka shprehur më herët dëshirën se dëshiron të luajë për Gjermaninë, duke pasur edhe nënshtetësinë e këtij vendi. Sidoqoftë, për djalin e lindur në Prizren ende nuk ka një ftesë nga trajneri Joakim Lëv, ndërsa edhe Kosova e do për ekipin e vet përfaqësues. Pritet që Rexhbeçaj të bëjë zgjedhje brenda një kohe të shkurtër.

Sfidanti.al