Përse e marrin peng kombëtaren e Belizes në Haiti? Epo, kur ka varfëri ekstreme!

Një ekip përfaqësues nën grykat e armëve nuk është diçka e zakonshme. Gjithsesi, në zona të caktuara të botës mund të ndodhë, dhe kështu i ngjau kombëtares së Belizes, që bën pjesë në Amerikën Qendrore Autobusi me futbollistët dhe stafin teknik u ndalua nga një grup i armatosur ndërsa kishin mbërritur në Haiti për të luajtur ndeshjen eleminatore të Kupës së Botës. Për fat, ekipi ishte i shoqëruar nga katër agjentë të policisë që zhvilluan bisedime për disa minuta me njerëzit e armatosur, derisa ata u bindën ta hiqnin pritën dhe kombëtarja mbërriti pa probleme në hotel, ndonëse lojtarët dhe trajnerët padyshim janë thellësisht të tronditur.

Ngjarja pati jehonë të madhe në mediat televizive të Belizes, por edhe në ato të Haitit, ndërsa Federata e Futbollit e Belizes shprehu pezmatimin dhe zemërimin për atë që ndodhi. Ndeshja Haiti-Belize luhet të enjten e 25 marsit për eleminatoret e Kupës së Botës të zonës së Amerikës Qendore dhe Veriore, turi i parë. Për të pasur mundësi më të plotë për të kuptuar se përse ndodhin këto gjëra, mjafton të mësosh se Haiti është shteti më i varfër në Hemisferën Perëndimore, dhe një nga më të varfërit në botë. Sipas statistikave zyrtare, që mund të jenë edhe të modifikuara, 59 për qind e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë dhe 24 për qind në varfëri të skajshme. Në kushte të tilla, ndoshta niveli i kriminalitetit në Haiti, ish-koloni e Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të quhet edhe i ulët.

Sfidanti.al