Dilemat e Juves dhe tifozëve, Pirlo tepër i ri dhe CR7 tepër egoist!

I pari nuk pati asnjë karrierë përpara sesa të merrte timonin e skuadrës më të madhe në Itali. Andrea Pirlo punoi vetëm disa ditë si teknik i Juventusit U23 dhe menjëherë u gradua “gjeneral” tek ekipi i parë pas ndarjes me Mauricio Sarrin, dhe rishtaria e tij duket që tej. E pamundur që të ishte ndryshe. Gjithsesi, trajneri është vetëm njëri nga problemet e “Zonjës së Vjetër”, e tifozët jo më kot votuan 63 për qind për të fajësuar drejtuesit. Paratiçi e Nedved jepen në bankën e të akuzuarve, po ashtu presidenti Andrea Anjeli, ndërsa dilema është nëse Kristiano Ronaldo nuk bën për ekipin, apo ekipi nuk bën për portugezin! Ka mjaft tifozë, si dhe ndonjë analist që thekson se CR7 është tepër egoist. Vërtet shënon shumë gola, por kur skuadra nuk ecën, ai nuk e nxit siç duhet të bëjë ylli kryesor. Ka shumë ankesa me hapje krahësh dhe mimikë fytyre nga superylli për shokët e ekipit, ndërsa duhej të ishte ndryshe. Gjithsesi, Arrigo Saki thotë se klubi nuk i ka dhënë Pirlos (dhe Ronaldos) lojtarët që duhen.

Sfidanti.al