Prej disa kohësh është bërë e shpeshtë që emri i tij të përmendet në mënyrë negative, si një nga shkaqet e problemeve në klubin londinez. Gjithsesi, Granit Xhaka nuk dëshiron ta pranojë këtë rol, duke thënë se kritikat janë të qëllimshme. “Kur je në futboll, do të jetosh së bashku me kritikën, – pohoi shqiptari i Kosovës, që luan për Zvicrën, – por, duhet të ketë limite. Ka edhe lojtarë të tjerë që marrin kartonë të kuq, por nuk kritikohen aq shumë sa unë. Ndonjëherë mendoj se kjo është gjë e qëllimshme për ta bërë problemin më të madh sesa është”.
Xhaka është nxjerrë 3 herë me karton të kuq tek Arsenali, ka bërë edhe disa gabime që kanë shkaktuar pësimin e golave, ndërsa thuhet se ai nuk ka disiplinën e duhur. Në kohën e trajnerit Emeri, 28-vjeçari u përplas me tifozët e Arsenalit dhe iu hoq shiriti i kapitenit, por tekniku Arteta e ka në planet e tij. “Unë nuk do ta ul kokën, – thekson Xhaka për “Blikun”, – kjo gjë nuk do ta thyejë vullnetin tim. Kjo gjë më ka bërë më të fortë”.
Sfidanti.al