Deri në fund të vitit të kaluar ishte një ekip që nuk po e vlerësonte kush. Madje, “kryqëzimi” u bë pas humbjes 1-4 në “Kamp Nou” ndaj Paris SG në Champions, jo shumë ditë më parë. Gjithsesi, Barcelona duket se nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit, dhe duke përjashtuar disfatën me PSG-në, gjithçka tjetër në 2021 është e shkëlqyer. Kualifikim për në finalen e Kupës me përmbysjen e madhe ndaj Seviljes, ndeshje autoritare në “Park dë Prensis” ndaj Mbapesë me shokë edhe pse përfundoi 1-1, dhe sidomos një vrapim i fuqishëm në La Liga duke iu afruar Atletikos së Madridit.
Katalanasit kanë 37 pikë nga 39 të mundshme këtë vit në kampionat, me 9 fitore nga 9 ndeshje jashtë fushe, dhe vetëm me një barazim në shtëpi (1-1) ndaj Getafes pas një dhurate të Lenglesë. Nëse nuk do të kishte qenë ajo dhuratë, ekipi i Kumanit do t’i kishte marrë 100 për qind të pikëve. “Blaugranët” kanë shënuar deri tani këtë sezon 100 gola, nga të cilët 67 në La Liga, 18 në Champions, 12 në Kupë dhe 3 në Superkupë. Mesi ka 16 gola në 12 ndeshjet e fundit duke qenë në formë të shkëlqyer, dhe katalanasit janë pretendentë të fortë për titull. Ndeshjet e radhës janë Barça-Vajadolid në 5 prill, Real Madrid-Barça në 10 prill dhe Barça-Getafe në 21 prill.
Sfidanti.al