Sot ata janë gati 75 për qind e totalit. Basketbollistët me ngjyrë përbëjnë shtyllën e NBA-së, veçse në vitet 50-të ishte krejt ndryshe, dhe një nga pionierët mbahet Elgin Bejlër. Legjenda e Los Anxhelos Lejkërsave, që debutoi në ligë në 1958, u shua sot në moshën 86-vjeçare dhe i gjithë komuniteti amerikan i koshit mban zi. Lejkërsat shprehën ngushëllimet e tyre me një postim në Instagram, ndërsa po ashtu kujtimin e yllit të dikurshëm e nderoi edhe faqja zyrtare e NBA-së, gjithashtu në Instagram.
Një basketbollist spektakolar, që shënoi mbi 23 000 pikë në karrierë dhe kapi mbi 11 000 topa në tabela, Bejlër u cilësua si Majkëll Xhordani i NBA-së, kur ende nuk ishte shfaqur Majkëll Xhordani. Ai e pati të vështirë për të tejkaluar paragjykimet raciale, sidomos kur ishte në moshë të vogël e në shkollë të mesme, ndërsa në SHBA ekzistonte segregacioni. Gjithsesi, ai u bë pjesë e NBA-së dhe shkëlqeu aty, ndonëse ekzistonte rregulli i pashkruar që asnjë ekip nuk do të kishte më shumë se 4 lojtarë me ngjyrë.
Elgin Bejlër është ndoshta lojtari më i madh në historinë e basketbollit amerikan që nuk fitoi dot një titull kampion, ndonëse arriti 8 herë në finale në vitet 1958-1971. Për fat të keq, shtatë finale u humbën përballë Boston Sëlltiksave, dhe njëra ndaj Nju Jork Niksave. Bejlër luajti 11 herë në Ndeshjen e Yjeve, dhe u zgjodh 10 herë në Skuadrën e Vitit, duke mbajtur shumë rekorde disa prej të cilëve rezistojnë edhe sot.
Ndonëse nuk ishte shumë shtatlartë, vetëm 1.96 metra, ai dominoi në tabela, ndërsa ishte një lojtar me vizion të madh. Më pas, për 22 vjet, ai ishte drejtues ekzekutiv i Los Anxhelos Klipersave. Bejlër do të mbahet mend si një nga yjet e basketbollit amerikan, ashtu si Bill Rasëll, Uilt Çembërlen apo Xherri Uest.
Sfidanti.al