Kukësi është laguar edhe nga Kupa e Shqipërisë, duke shënuar kështu ndoshta dështimin më të kushtueshëm të një sezoni futbollistik në Shqipëri. Strategjia e klubit që ka shënuar një dekadë suksesi spektakolar, kohët e fundit u kthye në një shpikje autentike dhe meqenëse askush nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte, atëherë gjithçka shkoi si një lëmsh i ngatërruar, të cilit i gjetën lehtësisht vetëm fundin dhe asnjëherë një fillim të mbarë. Gjatë periudhës së verës, skuadra që mbylli sezonin u shpërbë me shpejtësi për punë ditësh dhe më pas, po kaq shpejtë u ndërtua një e re, e përbërë nga futbollistë që shitën kryesisht imazhin dhe jo aftësitë në këmbët e tyre. Drejtuesit e klubit e ndryshuan disa herë stolin dhe trajnerët parakalonin si në një sfilatë, ndërsa ekipi nuk gjeti dot asnjëherë stabilitet. Presidenti Gjici, që në këtë periudhë nuk ka se si të ketë prioritet futbollin, më shumë është kujdesur të prezantojë punimet në stadiumin e ri të qytetit, të cilat po shkojnë paralel me aeroportin, ndërkohë që Kukësi prej kohësh është një skuadër nomadësh, gjithnjë në kërkim të një stadium për të luajtur si vendas dhe gjithnjë e më larg kuksianëve. Ndërkohë që në Durrës humbi edhe kontaktin e fundit me Europën, madje gjatë kohës së pakët që I mbetet në dispozicion do të jetë e vështirë t’ia shpëtojnë sezonin edhe mbledhjet e gjata të Safetit të dikurshëm.
Ndërsa Partizani edhe një herë tjetër nuk i shkon dot deri në fund Kupës së Shqipërisë dhe këtë rradhë të gjithë e kanë me Kridens Metën. Sidoqoftë, nëse këtë edicion e kishin kaq seriozisht edhe këtë kompeticion, aq sa për t’u nervozuar kaq shumë, përsëri është një sukses për t’u vlerësuar. Nëse në Shkodër e konsiderojnë kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës, si një rikthim të Vllaznisë, kjo do të thotë të po kënaqen me shumë pak. Ekipi i Brdariç u rrëzikua edhe nga Korabi, ndërkohë që është shumë larg paraqitjeve të dy fazave të para. Dhe në fund, katër ndeshjeve të së mërkurës i shkonte shumë emri i Dinamos, por vetëm kaq, sepse skuadra vazhdon të jetë e denjë për një kategori më poshtë dhe e ardhmja nuk është se të bën shumë optimist.