Zidani mendon se Reali duhet të synojë Championsin dhe La Ligën

Trajneri madrilen e di mirë sesa e vështirë do të jetë, por e ka gjithashtu të qartë se nuk mund të pretendohet ndryshe. Kur je në stolin e Realit, objektivi janë titujt maksimalë, edhe nëse në fund nuk i arrin (dhe mund të shkarkohesh, siç ndodhi me Ançelotin apo edhe me Murinjon). “Ne jemi këtu për këtë (për fitoren e dyfishtë Champions+La Liga), – tha trajneri, – e shoh të mundshme dhe jemi gjallë në të gjitha kompeticionet. Jam i lumtur për lojën tonë, nëse përgatitemi mirë mund t’ia dalim”.

Reali është në çerekfinale të Championsit, ku janë edhe Bajerni, Liverpuli, Mançester Siti, Paris SG sa për të përmendur disa emra, ndërsa në kampionat është në vend të tretë pas Atletikos e Barcelonës, ndonëse në distancë jo shumë të madhe (6 pikë). Zidan vlerësoi lart Luka Modriçin që ka luajtur 34 nga 36 ndeshjet e sezonit pavarësisht moshës. “Është shumë inteligjent, – theksoi francezi për kroatin, – është 35 vjeç, por nuk kuptohet fare. Merret vesh shumë mirë me Tonin (Kros)”. Reali fitoi 3-1 ndaj Atalantës në “Alfredo Di Stefano” pas suksesit 1-0 në Bergamo.

Sfidanti.al