3-0 ndaj Xhenoas, me një Lukaku të tillë Interi shkon i sigurt drejt titullit!

Si mund të gjykohet kur një portier shpallet lojtari më i mirë i një ndeshjeje, edhe pse ekipi i tij është mundur 0-3. Kështu ndodhi në sfidën e Interit me Xhenoan në Serinë A, të cilën zikaltërit e fituan thellësisht, por mund të kishin shënuar edhe shumë më tepër nëse përballë tyre nuk do të kishte qenë rojtar gjenovez i portës, Perin. Ai bëri disa pritje shpëtimtare që ndaluan Lukakun, Lautaro Martinezin apo Aleksis Sançezin.

Gjithsesi, Interi mori atë që deshi, madje pas një pjese të parë që e dominoi plotësisht. Ndeshja hyri në rrjedhën e duhur që në sekondën e 32-të kur Romelu Lukaku realizoi golin e avantazhit me aksion personal. Më pas, ishte sërish belgu që shtyu përpara Interin dhe jo më kot dy rrjetat e tjera u shënuan me asistet e tij, edhe pse autorë ishin Darmian e Aleksis Sançez.

Trajneri Antonio Konte, që bërtiti gjatë gjithë kohës në vijën anësore, duhet të ketë mbetur i kënaqur edhe pse jo plotësisht. Kënaqësia ka të bëjë me fitoren 3-0, dhe me provën e pjekurisë së lojtarëve të tij pas fitores së madhe në derbin ndaj Milanit. Po ashtu, edhe me diferencën prej 10 pikësh që zikaltërit kanë me Juventusin, kampionin në fuqi të Italisë dhe skuadrën që cilësohet gjithnjë favorite për titull.

Konte do të kishte dashur që ekipi i tij të mos kishte pasur ulje ritmi pas pushimit dhe të kishte treguar personalitet më të madh. Gjithsesi, kur vijnë fitoret, të tjerat rregullohen rrugës. Edhe pse gara nuk ka përfunduar, me Milanin e Juven që mbeten të rrezikshëm, sërish Interi ka hedhur bazat për trofeun e parë pas 11 vjetësh.

Sfidanti.al