Nuk është se nuk ka lojtarë në dispozicion dhe dy “senatorët” janë ende aty. Gjithsesi, një klub i madh si Juventusi mendon gjithnjë për shumë vite më vonë, dhe në këtë kuptim duhen parë lajmet për interesimin e “Zonjës së Vjetër” për mbrojtësin shqiptar Ramën Çepele. Mediat italiane shkruajnë se Juventusi mund të kthejë në Itali 17-vjeçarin e kombëtares kuqezi, që sot luan me Hanoverin U19, ndërsa më parë ka qenë pjesë e Interit.
Edhe pse 17-vjeçar, Çepele cilësohet si talent i besueshëm për t’u mbështetur në të ardhmen. Kampionët e Italisë kanë në ekip lojtarë si De Ligt, Demiral e Dragushin, të cilësuar si shumë të mirë, por largimi në të ardhmen e Bonuçit e Kielinit do të duhej plotësuar. Çepele luajti në miqësoren e Shqipërisë me Kosovën vjeshtën e kaluar, duke u dalluar për paraqitjen e tij. Ai e ka nisur futbollin në Itali, aty ku edhe ka lindur, duke u shpallur kampion i vendit me Interin U15, ndërsa aktualisht është lojtar i Hanoverit U19 në Bundesligën gjermane.
Sfidanti.al