Ishte një përgjigje që duhej të jepej dhe që Denveri ia doli që ta formulonte siç duhet. Pas humbjes së kaluar ndaj Lejkërsave, që iu shtua disfatës në Finalen e e NBA-së sezonin e mëparshëm, skuadra nga Kolorado mblodhi veten dhe u tregua ashtu siç dëshiron të jetë, një rivale për titull. Fitoi ndaj Lejkërsave 122-105 pavarësisht paraqitjes shumë të mirë të Lebron Xhejmsit, ndërsa e pati vetë një “Lebron”.
Nikola Jokiç, këtë herë, e fitoi sfidën me “Mbretin e basketbollit”, një gjë për të cilën duhet të duartrokitet fort. Shtatlarti serb e përballoi trysninë e një dueli të tillë duke realizuar edhe një tripëll dabëll. Ai shënoi 23 pikë, kapi 16 topa në tabela e shërbeu 10 asistë, ndërsa bllokoi edhe një gjuajtje. Topin e humbi vetëm 3 herë. Lebroni ndërkaq iu afrua tripëll dabëllit, dhe mund ta kishte arritur. Ai shënoi 22 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 9 asistë, duke bërë një bllokim gjuajtjeje e duke humbur vetëm 1 top.
Gjithsesi, numri 1 i botës mori një notë negative seps e gaboi shumë në gjuajtje, sidomos duke humbur të 5 gjuajtjet për tri pikë. Lajmi tjetër shumë i keq për Lejkërsat ishte dëmtimi i Entoni Dejvisit, që luajti pak më shumë se 14 minuta. Një problem në tendinin e Akilit për lojtarin qendër, pra që shqetëson shumë. Bashkë me humbjen dhe me dëmtimin e Dejvisit mori fund edhe seria e Lejkërsave me 7 fitore radhazi. Pavarësisht nga kjo, skuadra nga Los Anxhelosi mban vendin e dytë në Konferencën Perëndimore me 21 fitore e 7 humbje, ndërsa Denveri është në vend të 7-të po në Perëndim, me 15 fitore e 11 humbje.
Sfidanti.al