Një Bajern i cfilituar nuk fiton dot gjithnjë, as ndaj Bilefeldit!

Diferenca ndaj Lajpcigut të vendit të dytë nuk është diçka që të jep siguri, aq më tepër kur duhen edhe 13 ndeshje deri në fund, por ja që as superfuqia e Gjermanisë nuk mund të fitojë gjithmonë. Përpara sesa të kalojmë tek teoritë konspirative le të rreshtojmë disa faktorë që ua këputën këmbët lojtarëve të Bajernit që nuk shkuan më shumë se barazimi 3-3 ndaj Arminias së Bilefeldit në Mynih. Gati 8 orë pritje në aeroportin e Berlinit, udhëtim drejt Katarit, dy ndeshje të Kupës së Botës për klubet, e pastaj sërish kthim në Gjermani.

Koronavirusi goditi dhe një nga më të mirët e momentit, Tomas Myler, u detyrua të izolohej. Trajneri Hansi Flik nuk pati as Xhoshua Kimihun (hyri në 58’), ndërsa Zherom Boateng sërish nuk përgjigjet në apel.  Vlap në 9’, Piper në 37’ dhe Gebauer ishin autorët e golave në përballjen e pabesueshme në “Alianc Arenën” e zbrazur. Bajerni reagoi vonë, pas pushimit kur Robert Levandovski shënoi golin e parë (48’), dhe pastaj Toliso e Dejvis barazuan në 3-3 kur Bilefeldi kaloi deri në 1-3. Bajerni ka 49 pikë në 21 ndeshje ndaj 44 pikëve të Lajpcigut.

Sfidanti.al