I mbeten edhe tre hapa deri në realizimin e ëndrrës. Rafael Nadal nuk e pati aspak të vështirë të kalonte në çerekfinale të Australian Openit, dhe me klasin e karakterin e pathyeshëm të kalonte 3-0 një rival serioz si Fabio Fonjinin. Përtej historisë së kësaj ndeshjeje, që thuajse nuk pati histori, tenisti spanjoll ka një objektiv tepër të madh, ndoshta më të rëndësishmin në karrierë.
Nëse fiton 3 ndeshjet e radhës në Melburn, kalon rekordin botëror të Rozher Federerit për numrin e përgjithshëm të Grand Slemeve. Legjenda zvicerane ka 20, po aq sa Nadali, dhe në rast fitoreje në kontinentin jugor, Rafa do të ishte rekordmeni i ri botëror. Për fat, 34-vjeçari nuk po shqetësohet më nga dëmtimi në shpinë që krijoi shumë dyshime në aftësitë e tij për t’ia dalë në Australi.
Këtë e tregoi qartë rezultati i seteve në të tetat e finaleve ndaj italianit, 6-3, 6-4 e 6-2. Duket si viti i duhur për Nadalin sepse nuk ka humbur asnjë set në 4 ndeshje deri tani në Arenën “Rod Lejvër”. Gjithsesi, në rrugën e tij drejt titullit dhe rekordit qendron një pengesë madhështore, Novak Gjokoviç.
Numri 1 i botës jo më kot është rekordmeni i titujve në Melburn me 8 të tillë, duke fituar radhazi në 2019 e 2020. Tenisti serb kaloi në çerekfinale një ditë para Nadalit, me suksesin 3-1 ndaj kanadezit Millosh Raoniç, por gjithsesi, dyshimet për të janë të mëdha. Nole po luan i dëmtuar, me një problem në muskujt e barkut që iu shfaq në raundin e tretë kur kaloi me shumë vështirësi amerikanin Fric, vetëm pas 5 seteve.
Në mënyrë jo karakteristike, 33-vjeçari ka humbur 4 sete deri tani, dhe kjo me shumë gjasë për shkak të dëmtimit. Edhe vetë Gjokoviç është një kandidat për rekordin botëror të Grand Slemeve, pasi ka fituar 17 deri tani, duke qenë vetëm 3 tituj larg Federerit. Atij i duhet të fitojë patjetër në Australi për të pasur shanse, pasi më pas vjen Rolan Garosi ku Nadali është i pathyeshëm.
Sfidanti.al