Me kalimin e javëve, të gjithë të intreresuarit për futbollin e vendit, tashmë e kanë kuptuar që ai bojkoti i famshëm i kampionateve ishte thjesht si një tentative blofi në një lojë pokeri. Dikush që e nxiti kishte interesa, por që nuk i sillnin personalisht asnjë dëm edhe sikur të mos dilte i fituar, ndërsa për vetë futbollin po jep efektet e një cunami shkatërrimtar. Të katër pikat e kërkesës ultimative të Ligës dhe Dukës, tashmë janë zverdhur në atë copën e letrës që e vërtisnin si flamur pas do mbledhje nën shkallët e stadiumit të ri, ndërsa klubet po marrin mbrapsht pasojat e asaj iniciative pothuajse private. Futbollistët po kalojnë një periudhë të gjatë sfilitëse, ndërsa trajnerët nuk po ngurojnë të shprehen hapur tashmë, se me këtë ngjeshje kalendari është e pamundur të ndërtohet një program profesional. Dhe për ironi, këta duhet të fitonin prej atij bojkoti që solli vetëm një ngjarje për t’u shënuar… takimin kokë më kokë të Dukës me Ramën.
Ndërkohë që tani po degjenerojnë edhe impiantet e pakta në dispozicion të futbollit, gjë që ka lidhje po të drejtpërdrejtë me bojkotin e palogjikshëm që nuk solli tjetër, veçse vonesa në kalendarin e garës. Kështu, nëse edicioni do të fillonte normalisht, kjo periudhë do të ishte pushim natyral i kampionateve dhe njerëzve të fushës do t’i ishte kursyer variant anglez i të luajturit futboll, ndërsa fushat nuk do të na ishin kthyer në moçale. Në të kundërt, kuptohet që kryesisht nga dendësia e ndeshjeve, gjatë ndeshjes Partizani – Vllaznia e lëshoi veten edhe tapeti i stadiumit të Elbasanit, që deri tani mbahej si simbol i qëndresës. Ndërsa tani e ka rradhën fusha e “Loro Boriçit”, që me shumë gjasa do të ketë të njëjtin fund. Në këtë mot, në Shkodër do të luhet të prenten ndeshja Vllaznia – Laçi dhe të djelën Kukësi – Kastrioti. Ndërkohë që “Air Albania” nuk ka pasur fushë të përshtatshme as në ditën e inagurimit dhe FSHF-ja ka menduar që të kërkojë qera, meqenëse një pjesë e territorit të saj po përdoret për vaksinimin e popullatës. Pikërisht ky ishte bilanci i bojkotit që nuk solli tjetër, veçse rëndimin e këmbëve të futbollistëve, ndërsa vetë Federata e bojkotit, për të premtuar një futboll normal, prej kohësh mbështet në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencës.