Sa më shumë zhytej “këmba e Derbit” në baltovinën e fushës së stadiumit “Air Albania”, aq më shumë largohet nga balta emri i presidentit Duka. Tamam në ditën kur fusha u shfaq me një pamje më shumë se mjerane, pasi gropave dhe plisave në njërën anë të fushës u bënte shoqëri dhe një “kanal vaditës” në anën tjetër, u shtup butoni për të dhënë një sihariq. Tamam si në epilog të bojkotit, kur thanë se gjetën klientin që po kërkonin prej vitesh, për të blerë emrin e Superligës!
Lajmi që “mbushi gropat” e fushës u shfaq i tillë : Në këtë stadium, kur të mbijë bari dhe të bëhet fusha e re, që do të jetë edhe ajo më “ e bukura në Ballkan” si vetë stadiumi, do të luhet një finale europiane! Pasi u lodhëm me përralllën e një Superkupe të Europës, tani kemi gjetur një finale ngushëlluese me emrin .. Konferencë Ligë.
Dëgjoni trajnerin Edi Reja, trajnerin e Kombëtares, i cili ka harruar se vetëm pak ditë më parë, doli publikisht dhe tha se ishte gati të shkonte edhe me vrap në Elbasan, bashkë me ekipin e tij, vetëm që të mos luante në fushën mjerane të “Air Albanias” kundër Bjellorusisë. “Të organizosh një finale të tillë si Konferencë Liga, në stadiumin e ri që është një xhevair, do të thotë shumë për imazhin e Shqipërisë. Presidenti Duka ka krijuar raporte ndërkombëtarisht dhe UEFA ka besim te projekti i Shqipërisë..” Bravo profesor, xhevair stadiumi, xhevair dhe..presidenti!
Që UEFA ka besim tek ne, këtë e kanë mësuar të gjithë, i dashur profesor Reja. UEFA na është gjëndur gjithmonë në ditë të vështira : kur dënoi Skënderbeun me 10 vite, na qetësoi shpirtin kur presidentin Duka, e pranoi si anetar te Komitetit Ekzekutiv. Pale kur futbolli u fut në “grevë urie” për 8 javë për shkak të bojkotit, nuk do te harrohen “çunat e UEFA-s” kur fusnin ushqime fshehurazi tek çadra e FSHF-së…
Sfidanti.al