Lebroni s’ka kohë për shaka, “përjetë” me Lejkërsat për rekordin e Xhordanit!

Në moshën 35-vjeçare as nuk mund të mendohet se ka marrë fund, por gjithsesi e di se nuk i ka mbetur shumë kohë në dispozicion. Pasi provoi fatin me Klivlendin e tij të fëmijërisë, pastaj me Majemin e sërish me Klivlendin, Lebron Xhejmsi duket se është lidhur përjetë me Los Anxhelos Lejkërsat. Ylli më i madh i basketbollit të kohës sonë, dhe kandidat për të qenë më i miri për të gjitha kohët, ra dakord që të rinovjë edhe 2 vjet të tjera me “Liqenasit”, deri në 2023, kur të jetë në moshën 39-vjeçare. Rroga është ajo maksimale, 85 milionë USD për dy vjet. Praktikisht, për gjithë karrierën që i mbetet. “Po”-ja e Lebronit pritet të sjellë “po”-në e Entoni Dejvisit, si dhe ndonjë përforcim tjetër për Lejkërsat, dhe në 3 vitet e ardhshme “Mbreti i koshit” dëshiron të sulmojë rekordin e Majkëll Xhordanit që ka 6 tituj kampion në NBA. Natyrisht, rekordin e vërtetë e ka Bill Rasëlli me 11 tituj dhe ai nuk mund të barazohet, por Lebroni ka vetëm Majkëll Xhordanin si rival për titullin e më të madhit të historisë. Sot, ai ka 4 “unaza”, nëse fiton në 3 sezonet e ardhshme do të thotë se arrin në 7, një më shumë sesa “Ajrori Xhordan”.

Sfidanti.al