E paskemi seriozisht me Kazakistanin. Pastaj do të “lajmë hesapet” edhe me Bjellorusinë. S’do ketë më emra epruvete në formacion, por do të luajmë me “senatorët”. Le t’i quajmë kështu me bamirësi të tepruar edhe pse nuk bëjnë “ligje” të qëndrueshme. Kjo do të jetë ndeshja e të “vjetërve” , duke filluar nga veterani Reja, të cilit po i përgojojnë kontratën, dhe duke shkuar deri tek Cikalleshi,sulmuesi që shfaqet kur na duhet të godasim portën e kundërshtarit dhe jo tonën si me Lituaninë. Por, a jemi kaq të shkathët sa të fitojmë identitetin që kerkojmë sa hap e mbyll sytë , kur edhe ndeshjen miqësore me Kosovën nuk e përdorëm dot si nxemje, ngaqë na kishin mbetur dhe disa emra peng, pa u zbuluar akoma…
Siç ndodh rëndom në teatrin kuqezi, këtë herë aktorët janë më ndryshe (kjo para loje) dhe disi me këmbët të togëzuara në tokë. Nëpër intervista nuk dalin personazhe që u kërkohet të ndezin euforinë apo t’i fryjnë balonës, nga ata që bëjnë fushatë se sa gola do t’i bëjmë Kazakistanit dhe më pas Bjellorusisë, por del vetë kapiteni Ertrit Berisha, një personazh i koduar, me shumë kursim fjalët, që të imponohet disi ndryshe nga ata të kasetës kuqezi.
… Kur stadiumi ishte plot me tifozë, “mjekët” e vaksinonin popullatën me idenë se gjëja me rëndësishme sot per sot janë pikët, më të çmuara se vetë loja. Pale në këto momente, kur lakmohen 6 pikë në dy ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, në një “Air Albania” që s’do të ketë vetëm faqen ballore kallkan, na shkon më shumë për shtat të puthim pikët se lojën e bëjmë edhe pas ..lojës!
Sfidannti.al