E kanë marrë pikërisht për këtë dhe nuk po zhgënjen. Armando Broja arriti në 3 gola të shënuara në Superligën e Holandës në vetëm 5 javë kampionat, ndërsa zhvilloi ndeshjen më të mirë në radhët e Viteshes. Sulmuesi 19-vjeçar i kombëtares së Shqipërisë realizoi dy herë në fitoren 2-0 të arritur nga ekipi i tij në fushën e ADO-s së Den Hagës, duke qenë vërtet i papërmbajtshëm. Suksesi ishte i rëndësishëm sepse Viteshe u ngjit në vendin e tretë në renditje me pikë të barabarta me Ajaksin, edhe pse me golaverazh më të vogël.
Falë Brojës, por edhe lojtarëve të tjerë, skuadra holandeze mund të synojë edhe kualifikimin për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndonëse edhe nëse arrihej Liga e Europës nuk do të ishte keq. Falë dy golave, Broja u përzgjodh në formacionin e javës në Holandë, një arritje e shkëlqyer sidomos për moshën e tij 19-vjeçare.
“Jam shumë i lumtur për golat, por sidomos për fitoren, – tha sulmuesi, në prani të trajnerit Tomas Leç, – jam i kënaqur për tri pikët që na ndihmojnë në renditje, ndërsa si objektiv personal unë kam që të luaj sa më shumë për ekipin, si dhe të shënoj sa më shumë gola”. Broja është lojtar i Çelsit të Londrës në Angli, por trajneri Frenk Lampard e ka dhënë hua në Holandë për të pasur mundësi të luajë rregullisht, e për të fituar përvojë.
Sfidanti.al