Shkëlqimi i Hamesit tek Evertoni, ka krijuar konflikt në Madrid!

Nga “Bernabeu” u largua si i padëshiruar, dhe trajneri Zinedin Zidan kishte ide të tjera, jo që të bazohej tek ai. Hames Rodrigezi u mor nga Karlo Ançeloti tek Evertoni dhe, deri tani ka rezultuar transferimi më i goditur i verës në të gjithë Europën. Në dirigjimin e kolumbianit, skuadra blu liverpulase ka dalë në krye të renditjes në Premier Ligë, duke marrë barazim me vlerë 2-2 ndaj Liverpulit kampion. Deri tani, Hamesi ka 3 gola dhe 3 asistë, aspak gjë e vogël në kaq pak kohë për t’u përshtatur me një futboll krejt tjetër nga ai me të cilin ishte mësuar. E përditshmja madrilene “AS” shkruan se shkëlqimi i 29-vjeçarit në Angli ka krijuar konflikt në Madrid, pasi njerëz të hierarkisë së Realit janë pezmatuar me mënyrën sesi Zidan e përdoroi raportin me Hamesin. Jo vetëm kaq, por drejtuesit mendojnë se edhe lojtarë si Sebajos, Regilon apo edhe Bejl mund të ishin të dobishëm për ekipin.

Sfidanti.al