Atmosfera ishte e qartë që ishte tepër e nderë. Pavarësisht optimizmit të Mërgim Mavrajt, kombëtarja shqiptare mbërriti në Beograd ditën e 13 tetorit nën shenjën e tensionit për ndeshjen eleminatore në Euro 2016. Pesha e historisë dhe prania e aq shumë shqiptarëve nga Kosova ndikonin rëndë, por askujt nuk i shkonte në mend se do të ndodhte ajo që ngjau.
As kur publiku në stadiumin e Partizanit të Beogradit vërshëlleu himnin shqiptar, dhe lëshoi thirrje e ofendime, gjëra që i provon edhe në shumë stadiume të tjerë të botës, edhe pse ndoshta me intensitet më të ulët. Janë mbushur 6 vjet sot nga ajo ndeshje që do të mbetet si një gur kilometrik në historinë e futbollit shqiptar, një moment krejt i veçantë i kombëtares. Për rreth 41 minuta u harrua gjithçka dhe u përpoq të luhej një nga ndeshjet më të vështira të botës.
Pas ndërprerjes së parë nga gjyqtari anglez Martin Atkinson, erdhi e dyta që ishte përfundimtare. Në qiellin e Beogradit u shfaq droni i famshëm me një banderolë me përmbajtje nacionaliste, të Shqipërisë së Madhe, dhe me dy nga figurat historike shqiptare si Ismail Qemali e Isa Boletini. Kaq u desh që të zbriste ferri mbi tokë.
Gjyqtari Atkinson nuk i doli zot situatës, dhe mes lojtarëve të të dyja palëve pati përplasje për banderolën, që degjeneroi në konflikt fizik. Bekim Balaj, Andi Lila, Lorik Cana, Orges Shehi apo Ansi Agolli ishin mes lojtarëve kuqezinj të përfshirë. Një pjesë e tifozëve serbë, të ndihmuar edhe nga roje të sigurisë, kaluan rrethimin e brendshëm dhe hynë në fushë, mes të cilëve edhe një kryehuligan si u Ivan Bogdanov.
U bë e qartë se kombëtarja duhej të largohej sa më parë, dhe ajo e bëri me shpejtësi, duke u përpjekur të ruante kokën, e goditur nga tifozë që kishin kaluar çdo rrethim, dhe e ndihmuar nga disa lojtarë serbë. Futbollistë e zyrtarë vendas vunë duart në kokë nga tronditja. Menjëherë pas incidentit, pati akuza fantastike ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramës, si organizator i ngritjes së dronit, ndërsa çantat e kombëtares u kontrolluan nga policia serbe në dhomën e zhveshjes.
Më pas, nën masa të rrepta sigurie, futbollistët, trajnerët dhe gjithë delegacioni shqiptar doli nga stadiumin i Partizanit për të marrë rrugën drejt aeroportit. Nuk ishte e lehtë në një kryeqytet të madh si Beogradi, dhe me prani të shumë tifozëve të acaruar nëpër rrugë, por me ndihmën e policisë gjithçka kaloi mirë.
Kombëtarja mbërriti në Rinas në orët e para të mëngjesit, e pritur nga mijëra tifozë entuziastë, ndërsa manifestime në mbështetje të saj pati në shumë qytete të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, apo edhe nëpër botë. Pas një procesi të gjatë, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i dha Shqipërisë fitoren 3-0 në tavolinë, që ndihmoi në kualifikimin historik në finalet e Euro 2016-ës.
Sfidanti.al