Zidan mburr “kapitenin Konte”, italiani: Reali nuk vjen për të qarë!

Ishte një shkëmbim komplimentesh, por edhe një përballje e sinqertë përpara ndeshjes, ku secili theksoi se dëshironte fitoren. Zinedin Zidan dhe Antonio Konte njihen shumë mirë me njëri-tjetrin dhe kjo jo thjesht nga takimi kortezial në “Alfredo Di Stefano” para dhe pas ndeshjes së parë Real-Inter në Champions. Vjen koha për sfidën e kthimit, Inter-Real, dhe dy trajnerët dolën në konferencat e tyre për shtyp në “San Siro”. Miku Zidan pati fjalë lavdëruese për të zotin e shtëpisë. “Konte ka qenë kapiteni im kur ishim bashkë tek Juventusi, – tha ai, – kemi shumë histori së bashku, kemi kaluar mirë. Ai bën të njëjtën gjë që ka bërë që kur ishte fëmijë, është një udhëheqës, ka qenë në fushë, është edhe në stol. Gjithsesi, pavarësisht mungesave, Reali luan gjithnjë për fitore”.

Po Konte? “Reali për ne, padyshim, përfaqëson një finale, – i ra drejt trajneri interist, – s’kemi rrugë tjetër përveç fitores. E dimë se çfarë ndeshjeje na pret ndaj Realit, e dimë se çfarë lloj skuadre është. E dimë, gjithashtu, se nëse e duam diçka mund ta arrijmë. Deri tani, ende nuk e kemi bërë “hopin cilësor”, nuk kanë vlerë fjalët, sepse flasin faktet, dhe këtë duhet ta kemi parasysh të gjithë, që nga unë i pari. Mungesat e Realit? Nuk mendoj se ata do të dalin në fushë duke qarë për mungesat. Reali ka shumë lojtarë të zot. Më bën të qesh fakti se mediat flasin për mungesa”. Gjithsesi, Reali nuk ka kapitenin Ramos e sulmuesin Benzema, po ashtu Valverden e Odriozolën të dëmtuar, Militao e Joviç janë me Kovid, ndërsa Kasemiro maksimumi mund të jetë në stol.

Sfidanti.al