LeBron James prezantohet me fanellën e Philadelphia 76ers

LeBron James u prezantua me fanellën e Philadelphia 76ers në Ditën e Mediave, duke bërë të qartë që në nisje të aventurës së re se synon shumë më tepër se një paraqitje të zakonshme në “play-off”. 41-vjeçari u shfaq përkrah Tyrese Maxey, Joel Embiid dhe Jaylen Brown, ndërsa prezantimi i tij tërhoqi vëmendje të madhe mediatike. Në një moment me humor, James e largoi mikrofonin dhe hodhi në tokë tabelën me emrin e tij, përpara se të pyeste: “E dini kush jam, apo jo?”.

Katër herë kampioni i NBA-së më pas foli qartë për objektivat e tij me Sixers. “Nuk e lashë familjen time për të humbur në raundin e dytë”, deklaroi James, duke nënvizuar ambiciet e tij për sezonin e ri. Philadelphia e mbylli sezonin e kaluar me 45 fitore dhe 37 humbje, ndërsa u eliminua në raundin e dytë nga New York Knicks. Knicks më pas vazhdoi rrugëtimin deri te titulli kampion i NBA-së.

Transferimi i James në Philadelphia është pjesë e ndryshimeve të rëndësishme që klubi ka bërë gjatë verës. Sixers synojnë të rikthehen te suksesi dhe të ndërpresin pritjen për titullin e NBA-së, që vazhdon që nga viti 1983. James ka firmosur një kontratë dyvjeçare me vlerë 8 milionë dollarë, në nivelin e pagës minimale për veteranët. Në karrierën e tij, ai është përzgjedhur 22 herë në “All-Star” dhe 21 herë në ekipet “All-NBA”. Basketbollisti ka fituar gjithashtu katër herë çmimin MVP të sezonit dhe katër herë është shpallur MVP i finaleve të NBA-së. Me ardhjen e tij, Philadelphia shpreson të ndërtojë një skuadër që mund të luftojë për trofeun më të rëndësishëm të basketbollit amerikan.