Në Kosovë ka burg edhe për futbollin, presidenti i Federatës merr “ftesën” për korrektim!

Njihet si një drejtues i lartë i sportit. Agim Ademi është president i Federatës së Futbollit të Kosovës, dhe mund të jetë i lumtur me ecurinë e ekipit përfaqësues, por nga ana tjetër ka edhe halle të mëdha personale. Mediat në Kosovë bëjnë me dijë se Gjykata e Prishtinës e ka urdhëruar Ademin që të paraqitet në qendrën e shlyerjes së dënimit, pra të shkojë në burg, për të shlyer dënimin prej 9 muajsh të dhënë ndaj tij.

Ademi ka dalë fajtor me akuzën për kanosje dhe përfitim pasuror në rrugë të dhunshme, një histori e 8 viteve më parë. Vetë presidenti i Federatës ka deklaruar se nuk e ka marrë ende një vendim të tillë, ndaj nuk ka dashur të komentojë, duke shtuar se do të bëjë hapat e duhur, kur të njoftohet. Një dënim i tillë padyshim ia dobëson pozitat kreut të futbollit të Kosovës, i cili mund të detyrohet të japë dorëheqjen.

Ai u zgjodh si president pas vdekjes së ish-shefit të Federatës, legjendës Fadil Vokrri, ndërsa ka përjetuar një periudhë suksesesh të ekipit përfaqësues. Kosova u kualifikua për në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, ndërsa doli në vendin e tretë në grupin eleminator të Europianit, duke lënë pas Bullgarinë e Malin e Zi, e duke luftuar deri në fund me Republikën Çeke për vendin e dytë dhe kualifikimin. Skuadra e trajnerit Shaland mund të shkojë në fazën finale të Europianit nëpërmjet Ligës së Kombeve.

Sfidanti.al