Na “mbytën” barazimet, Junajtid e Barcelona s’dalin në “bregun tjetër”!

Dy ndeshje të nivelit të lartë u luajtën në ligat kryesore europiane. Në Angli, Mançester Junajtidi mori një pikë në fushën e Totenhemit, ndërsa në Spanjë, Barcelona u ndal në barazim pa gola në stadiumin e Seviljes. Shumë e fortë përballja e Premier Ligës në Londër, ku Totenhemi kaloi i pari në avantazh me golin e shënuar nga Bergvijn, edhe pse skuadra mike po luante më mirë. Ekipi i Zhoze Murinjos përfitoi nga gabimi i mbrojtësve miq dhe nga gafa e portierit De Gea. Pas pushimit, Mançester Junajtidi e kërkoi me ngulm barazimin dhe e arriti me anë të një penalltie. Pol Pogba, që kishte hyrë në lojë në pjesën e dytë, fitoi një penallti, dhe ajo u kthye në gol nga portugezi Bruno Fernandes. Pas këtij barazimi, Junajtid është në vend të pestë në renditjen e Premier Ligës, ndërsa Totenhemi në vend të 8-të.

Në Spanjë, ndërkaq, Barcelona nuk arriti të fitonte në fushën e Seviljes. Edhe pse Lionel Mesi ishte në fushën e lojës, skuadra katalanase e pati të pamundur të shënonte qoftë edhe një gol, madje vendasit luajtën më mirë. Sidomos, në pjesën e dytë Sevilja krijoi raste të shumtë me anë të kundërsulmit, duke e kapur në befasi mbrojtjen katalanase. U deshën pritjet e portierit gjerman, Ter Shtegen, që kampionët të mos e humbisnin ndeshjen. Rezultati 0-0 bëri që Barcelona të mbetej në krye të renditjes së La Ligës me 65 pikë, por Reali ka mundësi të barazohet me të, nëse fiton ndeshjen e ditës së hënë.

Sfidanti.al