Intervista e trajnerit të Lushnjes, Ilir Gjyla, fill pas ndeshjes me Apoloninë, është bërë virale , ka “mbushur” stadiumet , por edhe ka dalë me sukses përtej orbitës së sportit. Përgjigja e tij ndaj pyetjes së gazetarit, e futi në pozicion jashtë loje njeriun që mbante mikrofonin. “ A e pe çfarë ndodhi? Po le të tregoj diçka për humor, sepse ky futboll duhet marrë me humor: “Vëllai im e ka shumë qejf peshkun. Një ditë, kur mamaja po qëronte një peshk të madh, që e kishim marrë në Karavasta, brenda tij ishte një peshk i vogël”. Morali është i qartë, por nuk vlen vetëm për botën e futbollit.
Sipas Gjylës, zemërimi i të cilit arriti kulmin tek penalltia që u shpik si me porosi për Apoloninë, peshku i madh, Apolonia, është ndihmuar nga “peshkatarët” e FSHF-së për të gëlltitur ..peshkun e vogël, Lushnjen. Dhe historia e peshkut të madh me të voglin në bark, përsëritet shpesh për Lushnjen e Gjylës, por është një referen shumë i njohur edhe në “katin e sipërm” të godinës me themele të krisura..të Superligës.
Këtë javë, në rolin e peshkut të vogël, në filmin serial të Superligës, ishte zgjedhur Bylisi, një personazh i njohur, i paracaktuar në rolin e viktimës. Një viktimë aq klasike, saqë në një dynja të dënuar për trukime nga Europa, Bylisi mbetet i vetmi ekip që është dënuar nga “shteti mëkatar” i futbollit. Por, çfarë ndodhi këtë javë me Bylisin? Ajo që ndodhi, as nuk mund të krahasohet me çdo padrejtësi që u është bërë ballshiotëve ndër vite. Një gol i pastër, plot dritë në aksion dhe harmoni në spostime, u anullua në mënyrën më groteske nga arbitri Xhaja. Të gjithë pyetën me habi: çfarë pa arbitri,që nuk e pamë ne po e po, por edhe maviolat e mbrëmjes.
Në fakt, për hir të vërtetës së hidhur, në futbollin tonë ka dhe sy të tjerë, si syri i “Big Brother”, ai që komandon lojën, që sajon ngjarje edhe nga hiçi. Siç ndodhi me Lushnjen e Ilir Gjylës, që mbeti peng tek pika e bardhë e penalltisë, vendi ideal ku merren peng viktimat. Viktima të tilla, që të kujtojnë një batutë filmi: “Na rrahin dhe nuk na lënë të qajmë!” Intervista e Gjylës vlen si “ushqim për peshqit” kur e thotë shkoqur: “ E di ti, se po të themi të vërtetën, na dënojnë!”
Gezim Sinemati
Botuar ne Panorama Sport